E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovarët lëvrojnë më mirë se rajoni

 Për të dytin vit me radhë, lavërtarët kosovarë patën rastin të tregojnë aftësitë e tyre lëvruese në Kampionatin Botërorë të Lëvrimit, i cili sivjet u mbajt në qytetin Olds të Albertës në Kanada. Dy lavërtarët kosovarë, Lulzim e Esad Shehu, sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet kanë arritur që të tregojnë rezultate shumë pozitive në këtë disiplinë, duke i lënë prapa lavërtarët e Maqedonisë, Kroacisë, Hungarisë e Rusisë.

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Lëvrimit, i bërë para dy viteve, u ka krijuar mundësinë këtyre dy lavërtarëve që të konkurrojnë me shtetet më të mëdha të botës, të cilat kanë përvojë shumëvjeçare në lëvrim. Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, e cila ka mbështetur përfaqësimin e lavërtarëve në këtë kampionat, tregojnë se ekipi i garuesve kosovarë ka ngjallur interesimin e shumë medieve të mëdha botërore, në mesin e tyre edhe të “The Wall Street Journal”, të cilat gjatë këtyre ditëve kanë shkruar për pjesëmarrjen e Kosovës në këto gara.

Bekim Hoxha, udhëheqës i delegacionit kosovarë dhe njëherësh edhe anëtar i Bordit të WPO, tregon se gjatë këtyre dy viteve garuesit kosovarë kanë arritur të tregojnë rezultate shumë pozitive në këtë disiplinë dhe suksesi i treguar ka bërë që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes tek shumë media botërore.

“Kampionatet e tilla janë shumë të rëndësishme për Kosovën, pasi në këtë mënyrë po e promovojmë shumë fuqishëm vendin tonë dhe po zgjojmë interesimin e shumë vendeve të tjera. Gjithashtu, përmes këtyre garave, lavërtarët tanë po arrijnë që t’i shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira të lëvrimit, po e përmirësojnë shfrytëzimin sa më racional të tokës përmes lëvrimit profesional bazuar në parametrat e nivelit ndërkombëtar”, thotë Hoxha. Ai tregon se pavarësisht mungesës së eksperiencës dhe pajisjeve profesionale, të cilat kanë ndikuar në rezultatet e paraqitjes, garuesit e kanë arritur plotësisht qëllimin e promovimit të Kosovës para botës.

Ndërsa, Lulzim Shehu, njëri nga lavërtarët kosovarë, tregon se nga kampionatet e tilla po përfitojnë përvojat më të mira të lëvrimit. “Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet kemi qenë më të suksesshëm, pavarësisht vështirësive që po i hasim për shkak të mungesës së pajisjeve profesionale për lëvrim”, thotë Shehu. Ai tregon se sivjet në disiplinën e lëvrimit në stërnishtë kanë dalë para Hungarisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Rusisë.

Në Kampionatin Botëror të lëvrimit, krahas Kosovës kanë marrë pjesë edhe 30 shtete të tjera, ndërsa gara në këtë botëror është zhvilluar në dy disiplina, atë të lëvrimit me plug konvencional dhe reversibil, në barë dhe stërnishtë, ku në të dyja këto disiplina vendin e parë e ka zënë Austria./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›