Kosovë – 26 vjet nga krimet serbe mbi qytetarët e Skënderajt

PRISHTINË, 20 mars/ATSH/ Sot kujtohen dëshmorët e martirët e lagjeve të Skënderajt të rënë më 20 mars 1999.
Ish-kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari ka shkruar atë kohë, pas tërheqjes së vëzhguesve ndërkombëtarë të misionit të OSBE-së, se kriminelet serbë të veshur me rroba të bardha e maska të zeza kishin filluar në Skënderaj plaçkitjet e keqtrajtimet e qytetarëve, duke i ndarë më pas edhe burrat nga gratë, të cilët i kishin dërguar te pishat dhe atje i kishin ekzekutuar.
“Disa prej tyre i kishin vrarë në shtëpi, e disa tjerë i kishin arrestuar. Rënia e tyre në altarin e Lirisë është dëshmi e gjenocidit që ka bërë shteti serb në Kosovë. Lavdi të rënëve për Lirinë e Kosovës”, kishte shkruar ai.
Tetë shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre atë ditë nga forcat serbe dhe u vranë në një vend të njohur si Te Pishat.
Të njëjtën ditë në Skënderaj, 29 civilë të tjerë shqiptarë u vranë ose u zhdukën pa gjurmë.
/Kosovapress/