E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë – KQZ certifikon listën e votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 12 tetor 2025 në Kosovë, mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë vendit, do të kenë të drejtën të votojnë për kryetarët e komunave dhe kuvendeve komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përfunduar këtë të shtunë (6 shtator) procesin e certifikimit të listës së votuesve. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga KQZ, në këto zgjedhje do të kenë të drejtë vote 2.069.098 qytetarë. Prej tyre, 2.025.105 votues janë të regjistruar brenda territorit të Kosovës, ndërsa 43.993 qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

Organizimi i procesit zgjedhor do të shtrihet në 938 Qendra të Votimit, të cilat do të përfshijnë gjithsej 2.625 vendvotime. Nga to, 910 Qendra të Votimit do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 Qendra të Votimit janë caktuar për votimin me kusht.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se qytetarët duhet të verifikojnë përmes platformës së KQZ-së qendrën se ku ata do të votojnë ditën e zgjedhjeve. KQZ-ja ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet logjistike dhe administrative janë në fazën përfundimtare.

Në zgjedhjet lokale për të 38-ta komunat e Kosovës janë certifikuar 93 subjekte: 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Subjektet e certifikuara janë renditur me numrat nga 100 deri në 192. Ndër grupimet kryesore, në bazë të shortit, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me nr. 105; Partia Demokratike e Kosovës në fletëvotim do të ketë nr. 191; Lidhja Demokratike e Kosovës me nr. 113; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me nr. 174; Nisma Socialdemokrate me nr. 186; Alternativa me nr. 103; Lista Guxo me nr. 118; ndërsa Lista Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të garojë me nr. 170.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›