E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kosovë – Policia: Sfidë veriu, veprat penale shënuan rënie 3.34%

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Policia e Republikës së Kosovës paraqet disa nga rezultatet dhe arritjet e përgjithshme në përmbushjen e objektivave strategjike gjatë vitit 2024

Sipas Policisë, numri i përgjithshëm i rasteve ka shënuar rënie nga 47,903 në 46,300 ose 3.34% më pak se një vit më parë. Kurse, numri i veprave penale ka shënuar rëne nga 27,560 në 26,775 ose -2.38%. Ndërsa, zbulueshmëria ka shënuar rritje për 3.34%;

“Edhe pse viti që po lëmë pas ishte mjaft sfidues për Policinë e Kosovës sa i përket sigurisë në përgjithësi, e në veçanti në veri të vendit, puna angazhimi dhe përkushtimi për ruajtje të rendit kushtetues, vërtetuan se Policia e Kosovës është e gatshme dhe e përgatitur për t’u përballur me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së vendit në përgjithësi.

Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të Policisë së Kosovës, kanë qenë zbatimi i ligjit në mënyrë efikase dhe efektive, parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të kriminalitetit, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufirit shtetëror, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët pa dallim”, lexohet në njoftim.

“Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë e qetë, në përjashtim në veri të vendit, ku situata ka qenë e brishtë dhe e cenuar nga disa sulme kriminale e terroriste, duke veçuar sulmin terrorist ndaj Stacionit Policor në Zveçan, sulmin terrorist në objektin e Komunës së Zveçanit, sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Iber Lepencit në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake.

Rastet dhe sulmet e tilla kriminale e terroriste në veri të vendit kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike si dhe pengimin e zbatimin të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e sajë ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës përveç arritjeve të mëdha në menaxhimin e situatës së sigurisë në vend e në veçanti në veri të vendit e cila vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore, ka arritur rezultate të theksuara edhe në shumë fusha tjera, përfshirë edhe uljen e rasteve kriminale në vend dhe rritjen e zbulueshmërisë së tyre.

/Kosvapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›