Osmani nga veriu falënderon policët e gjitha komuniteteve

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, raporton KosovaPress.
Osmani ka falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre. Osmani gjatë vizitës është shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Republikës së Kosovës Gazmend Hoxha si dhe kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiç.
“Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdo ditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka netë festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’iu dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.
E para e vendit ka uruar qytetarët e të gjitha etnive për festat e fundvitit. Në kuadër të kësaj vizite të fundvitit, presidentja Osmani ka shfrytëzuar rastin të shpërndajë dhurata për fëmijët në veri të Mitrovicës. /Kosovapress/