E Martë, 3 Nëntor 2026

Kosovë – Protesta për energjinë, Kurti: Koha e barrikadave ka kaluar

PRISHTINË, 29 maj /ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se vendimi për dalje në treg të lirë energjetik për bizneset “nuk është i befasishëm pasi ligji ka hyrë në fuqi nga viti 2016”.

Lidhur me protestën e organizuar nga Oda Ekonomike dhe bizneset, Kurti tha se “koha e barrikadave ka kaluar”.

“Oda Ekonomike sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me një kërkese, shtyrjen e vendimit me justifikimin se për një vit do të jenë të përgatitur, duke injoruar faktin se nga ana e tyre nuk kanë bërë për tetë vite asnjë përgatitje… Për të mbrojtur 1% të bizneseve në kurriz të 99% ata po duan të bëjnë barrikada në hyrje të Prishtinës por koha e barrikadave ka kaluar, iu bëjnë thirrje bizneseve dhe odave të mendojnë për efiqiencën”, tha ai.

Sot, prej orës 10:00, po mbahet protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë – një vendim që sipas komunitetit të biznesit, rrezikon stabilitetin ekonomik, prodhimin vendor dhe vendet e punës.

Protesta përfshin për dy orë bllokim të rrugëve në hyrje-dalje të Prishtinës.

Komuniteti i bizneseve thotë se qëllimi i protestës nuk është kundërshtimi i daljes në tregun e lirë, por kërkesa për kohë të mjaftueshme që tregu dhe bizneset të përgatiten, në mënyrë që të shmangen pasojat negative.

Ata kërkojnë nga institucionet e vendit të mos i dëmtojnë bizneset dhe ekonominë e vendit, pasi vendimi për tregun e hapur për energjinë nga 1 qershori “është i nxituar, i pa analizuar dhe dëmton bizneset”, ndërkohë kanë paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim institucional, atëherë do të ketë protesta të radhës.

Komuniteti i biznesit dhe disa parti politike kanë kërkuar shtyrjen e kërkesës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për treg të hapur energjetik.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka paralajmëruar se do të fillojë betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë, pasi siç thuhet është marrë pa një analizë të mirëfilltë dhe pa asnjë konsultim me palët e interesit.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›