E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë- Vdekja e Agon Zejnullahut në Lipjan, policët në pritje të paraburgimit

Policia e Kosovës po pret vendimin për paraburgimin e zyrtarëve të dyshuar për vdekjen e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në rrethana ende të paqarta gjatë një arrestimi në Lipjan. Kështu ka konfirmuar sot për RTK-në Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ nga neni 175 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës,” u shpreh Prokuroria, duke shtuar se do të njoftojë më vonë për më shumë informacione.

Gjatë ditës, në media u raportua për një raport fillestar të mjekësisë ligjore, sipas të cilit, vdekja e Zejnullahut mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja. Megjithatë, Prokuroria Themelore ka deklaruar se ende nuk e ka pranuar një raport të tillë zyrtar për rastin. RTK ka tentuar të marrë një qëndrim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, por nuk ka marrë përgjigje.

Reagimi i ministrit Sveçla: “Askush nuk është mbi ligjin”

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër lidhur me rastin tragjik. Në një deklaratë në Facebook, Sveçla shprehu shqetësimin e thellë dhe theksoi angazhimin e institucioneve për një hetim të plotë dhe të paanshëm.

“Sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi,” theksoi Sveçla, duke shtuar se hetimet po zhvillohen me intensitet maksimal. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Policisë, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti të rëndë.

Sveçla shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e të ndjerit dhe bëri thirrje për drejtësi të plotë.

“Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar,” përfundoi ministri në detyrë.

Ai theksoi se besimi i qytetarëve te Policia e Kosovës duhet ruajtur me çdo kusht, pasi është një vlerë dhe domosdoshmëri për punën e suksesshme të saj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›