E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Buzek: Realizoni reformat, ndihmojeni veten

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka filluar vizitën në Bruksel, në ditën e parë të së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian (PE) e të senatit belg, dhe do të marrë pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të organizuar nga PE-ja dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temën “Ballkani Perëndimor , drejt një Evrope më të integruar”.
Krasniqi zhvilloi takime me kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek dhe zëvendëskryetaren e senatit belg, Helga Stevens, të cilët i njoftoi me gjendjen në Kosovë.
Kryetari i PE-së, Buzek, tha se Parlamenti Evropian është gati të mbështesë pavarësinë, demokracinë dhe ekonominë e lirë të Kosovës. Ai e vuri theksin në dy aspekte të veprimeve që duhet të ndërmarrë Kosova, në reformat e gjithanshme dhe bashkëpunimin në rajon.
Përveç kësaj, Buzek tha se delegacioni evropian dhe Kukan, janë shumë të angazhuar që ta ndihmojnë Kosovën por, siç tha ai, “ju në Kosovë do të duhej të intensifikoni veprimet për realizimin e reformave në dobi të prosperitetit të Kosovës në të ardhmen”.
 

Ndërkaq, kryetari Krasniqi e falënderoi Buzek për ftesën që i ka bërë Parlamenti Evropian dhe ai i Hungarisë, për pjesëmarrje në takimin e përbashkët të PE-së me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai u shpreh dakord me vërejtjet për parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve, por theksoi se ato parregullsi, janë korrigjuar nga institucionet e pavarura dhe premtoi që në të ardhmen, Kosova do të bëjë reforma të legjislacionit zgjedhor dhe nuk do të përsëriten lëshime dhe parregullsi të tilla.
Krasniqi vuri theksin në mënyrë të veçantë te problemet në veri të Kosovës, ku, siç tha Krasniqi, krimi i organizuar mbështetet nga strukturat e shtetit serb.
 

Krasniqi i kërkoi kryetarit të PE-së që të ushtrojnë ndikimin e tij dhe të Parlamentit, te pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, si dhe kërkoi një përkrahje më të madhe për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën e integrimin evropian.
 

Krasniqi, me këtë rast, i bëri ftesë kryetarit të Parlamentit Evropian që të vizitojë Kosovën.
Ndërkaq, gjatë takimit me zëvendëskryetaren e Senatit belg, Helga Stevens, kjo e fundit konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të Belgjikës për Kosovën. Ajo tha se Belgjika do të mbështes Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave dhe të stabilitetit të saj.
 

Kryetari Krasniqi e ftoi Helga Stevens që ta vizitojë Kosovën dhe të njihet për së afërmi me gjendjen atje. Ai, në kuptim të përpjekjeve për integrimin dhe përfshirjen sociale, për zhvillimin ekonomik e për arsimin, përmendi në mënyrë specifike dokumentet që i ka miratuar Kuvendi në vitet e fundit. Njëri ka të bëjë me adoptimin e Deklaratës së Mileniumit dhe tjetri me axhendën evropiane të përfshirjes sociale, e quajtur Letra e Bardhë.Gjatë kësaj vizitë, kryetari Krasniqi shoqërohet nga Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Mehmet Hajrizi, shef i Kabinetit të Kryetarit dhe Skënder Reçica, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›