E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Daci do të kandidojë për president

Kreu i LDD-së Nexhat Daci ka deklaruar se do të kandidojë për president të Kosovës. Në një intervistë për gazetën “Express”, Daci mohon se po i rrënohet partia.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës me politikën aktuale po bën vetëvrasje. Nuk i ka harruar as rivalët e dikurshëm. Fatmir Sejdiun, Eqrem Kryeziun e Kolë Berishën i cilëson si lugetër dhe vampirë.

Duke u përgjigjur për largimin e anëtarëve nga LDD-ja, Daci u shpreh “Nuk është e lehtë të thuhet me një fjalë se pse po largohen. E vërteta e madhe është se të gjithë ata që janë larguar, janë rritur me LDK-në, shtatëmbëdhjetë vjet kemi qenë në një shtëpi, në një shtëpi të madhe dhe të mirë, të udhëhequr nga Presidenti Rugova. Dhe, të gjithë e kemi ndier veten mirë e shlirë. Mirë e shlirë është toleruar edhe ndonjë mendim tjetërfare. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e strukturave lokale të LDD-së kanë mbetur të ndershëm në atë parim që ka vlejtur sa kemi qenë në atë shtëpi. Dhe, kur ta shndërrosh atë të ndershëm në rrethanat e sotme, LDK-ja e sotme po bën harakiri”.

Kjo sipas Dacit, i bie që LDK-ja nuk po mundet në asnjë mënyrë të akomodohet në opozitë, si lider i opozitës, për mungesë të guximit politik.

“Edhe për faktin se ato struktura që e përçan ose e shkatërruan atë shtëpi të madhe më 2006, po e luajnë vallen me vampira, po e luajnë dansin e lugetërve. Tani, ata që po shkojnë, po e përdorin parullën "të shkojmë në LDK e se ashtu e mundim Thaçin". Prandaj, në një vakum ose errësirë të këtillë, po mundohen lugetërit të ngjallen”, tha ndër të tjera Daci.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›