Kosovë, EULEX mund të humbasë mbështetjen e KFOR-it

EULEX-i po rrezikon të humbasë mbështetjen e partnerit më të madh në Kosovë, KFOR-it, për shkak të mosndërmarrjes së masave për kapjen e serbëve, të cilët i ka identifikuar vetë KFOR-i si persona që ia kanë sulmuar ushtarët në veri.
Forca e NATO-s në Kosovë ka kohë që i ka dhënë EULEX-it videomateriale për tre sulme të ndryshme që, sipas komandantit të paqeruajtësve, janë organizuar nga Zvonko Veselinoviç, vëllai i tij, dhe dy serbë të tjerë. Por, ndonëse sulmi i parë ka ndodhur më 27 korrik të këtij viti, hetuesit e EULEX-it nuk kanë arritur të bëjnë asnjë hap në kapjen e tij. Si rezultat as Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e as Task Forca e EULEX-it për veriun nuk kanë nisur hetim zyrtar për Zvonkon, të paktën jo për sulmet ndaj ushtarëve KFOR-it.
Ajo çfarë ka ndodhur, sipas zyrtarëve të këtij misioni, është shqyrtimi i materialit të dhënë nga KFOR-i dhe disa punë të vogla policore, por pa arritur që hetimin ta zyrtarizojnë.
Këta zyrtarë që kanë dashur të mbesnin anonimë kanë shpjeguar se pamundësia e EULEX-it i ka ardhur në “majë të hundës” vetë komandantit të KFOR-it. Ai të hënën ka shpërthyer në takimin me gazetarët serbë, ku nuk ka ngurruar të tregojë se Zvonko Veselinoviç qëndron prapa sulmeve.
Zëdhënësit e KFOR-it nuk kanë dashur që të martën të komentonin deklaratat e komandantit të tyre.
“Ne mund të konfirmojmë atë që e ka thënë komandanti, por nuk do të komentojmë për momentin deklaratat”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin.
Por EULEX-i në mënyrë indirekte ka konfirmuar se nuk ka ndonjë hetim për sulmet ndaj ushtarëve në veri të Kosovës.