E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, EULEX-i heton kreun e Agjencisë Kundër Korrupsionit

Edhe pse është emëruar që ta luftojë korrupsionin dhe ta bëjë publik atë, i pari i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni, dyshohet se është i korruptuar. Ai të mërkurën është marrë në pyetje nga polica në një hetim që janë duke e bërë hetuesit e EULEX-it, nën dyshimet se është korruptuar dhe ka falsifikuar dokumentet e zyrtarëve gjatë deklarimit të pasurisë.

Marrja në pyetje e tij është konfirmuar edhe nga zyrtarët e këtij misioni, duke treguar se kjo ka ndodhur pas një ankese të paraqitur nga Organizata “Çohu” kundër kreut të Agjencisë Antikorrupsion, shkruan Lajm.

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, e ka mohuar këtë. Mirëpo, ky fakt i Pretenit është hedhur poshtë të mërkurën, pasi ai nuk ka marrë pjesë fare në komisionin për buxhet, ku ishte i ftuar. Mungesën e Pretenit e kishte “arsyetuar” deputetja Safete Haderxhonaj duke thënë se ai “nuk mund të marrë pjesë në mbledhje për shkak se i ka dalë një punë urgjente në polici”.

"EULEX-i mund të konfirmojë se anëtarët e OJQ-së "Çohu" dhe Hasan Preteni janë marrë në pyetje. Tema e intervistës ishte e lidhur me një ankesë të paraqitur nga OJQ-ja kundër kreut të Agjencisë Antikorrupsion”, ka thënë për Lajm, Blerim Krasniqi, zyrtar për informim në EULEX.

Burime të gazetës nga Prokuroria Speciale kanë thënë se marrja në pyetje dhe hetimi i Pretenit është duke u bërë nën dyshimet për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve.

Preteni ka thënë për Lajm se nuk është e vërtetë se është duke u hetuar. Ai i ka quajtur shpifje deklaratat e organizatës “Çohu”, duke treguar se për ta ka ngritur edhe padi.

Burime të Lajmit kanë bërë të ditur se rasti i hetimit për Pretenin ka kaluar në EULEX, pasi ka pasur tentime të pushohet nga prokurorët vendorë. Ky rast fillimisht ishte dërguar në prokurorinë speciale, me pas në Prokurorinë e Qarkut, e cila pastaj ka tentuar t`ia hedhë rastin Prokurorisë Komunale. Sipas burimeve, me marrjen e kësaj informate, EULEX-i e ka vendosur rastin nën menaxhimin e vet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›