E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove Krasniqi i dorezon postin Pacollit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, njëheresh ushtrues i detyrës së presidentit që prej dorëheqjes së ish-presidentit Fatmir Sejdiu, i ka dorëzuar detyrën presidentit të ri të Kosovës, Behgjet Pacolli. Me këtë rast, Krasniqi ka uruar Pacollin për detyrën e re, ndërsa ky i fundit ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kryeparlamentarin Krasniqi në të ardhmen.

Tensionet e ngritura në seancën, në të cilën është zgjedhur Pacolli president, nuk kanë ndikuar që Krasniqi, si kundërshtues i zgjedhjes së Pacollit, të mos i urojë këtij të fundit për postin e ri. Madje, presidenti Pacolli ka thënë se me Krasniqin përveç si dy përfaqësues të institucioneve të rëndësishme, janë edhe miq të vjetër.

“Sigurisht, urimet më të mira i kam marrë sot. Me zotin Krasniqi, jo që jemi përfaqësues të dy institucioneve të rëndësishme të Kosovës, por ne jemi edhe miq të vjetër dhe sot ishte një fillim i mirë i punës, një fillim i mbarë dhe ne me kryetarin e Kuvendit të Kosovës do të bashkëpunojmë në të ardhmen” tha Pacolli.

“Unë nuk e kontestoj dhe nuk e kam detyrën, as përgjegjësinë për ta kontestuar vendimin e Kuvendit. Është çështje e institucioneve tjera të pavarura që t’i kryejnë detyrat e veta konform ligjeve dhe Kushtetutës”, ka thënë Krasniqi.

Presidenti i ri pritet megjithatë që shumë shpejt të përballet me Gjykatën Kushtetuese, në të cilën kanë dorëzuar kërkesën partitë opozitare, për interpretim nëse është shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit në rastin e votimit të presidentit, kur pas raundit të dytë Grupi Parlamentar i PDK-së, u konsultua për votat.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›