E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, LDK dhe AAK raportojnë disa shkelje

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që në orët e para pas hapjes së vendvotimeve, ka raportuar një shkelje, që ata e kanë quajtur teknike, që thuhet se është bërë nga rivalët e tyre kryesorë në Gjilan dhe në Shtime.
Shefi i shtabit zgjedhor të PDK-së, njëherësh nënkryetar i kësaj partie, Lutfi Haziri, tha se në komunën e Gjilanit, kandidati i PDK-së është parë duke shpërndarë materiale të PDK-së. Ai theksoi se gjatë ditës së sotme nuk lejohet që asnjë nga kandidatët të ndikojë te votuesit. Haziri beson se kjo shkelje ka ardhur më tepër si pasojë e mosnjohjes së procedurave.
Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate për shtyp, edhe shtabi zgjedhor i Degës së LDK-së në Shtime, ka denoncuar shkeljen e rregullave zgjedhore në dy qendra votimi në Shtime si dhe në qendrën e votimit në fshatin Pjetërshticë të kësaj komune.
"Në Shtime, në qendrën e votimit në Shkollën e Mesme 'Naim Frashëri' dhe në qendrën e votimit në shkollën fillore 'Emin Duraku', në kundërshtim me rregullat zgjedhore, vullnetarë të PDK-së, kanë hyrë dhe po veprojnë brenda qendrave të votimit, me karta identifikimi me numrat 51, që është numri i kësaj partie në fletët e votimit", thuhet në reagim.
Gjithashtu, në qendrën e votimit në fshatin Pjetërshticë, aktivistë të PDK-së thuhet se janë duke qëndruar në një klasë të shkollës fillore "Idriz Ajeti", ku po zhvillohet procesi zgjedhor, duke shkelur në këtë mënyrë rregullën zgjedhore, e cila ndalon të gjithë personat e paautorizuar të qëndrojnë në një qendër votimi apo në vendvotim.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka denoncuar disa shkelje, që sipas tyre, kanë ndodhur në orët e para të hapjes së vendvotimeve.
Burim Ramadani, sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, ka thënë se dy vëzhgues të kësaj partie nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit. "Ata janë zëvendësuar me dy vëzhgues të tjerë, të cilët ne nuk i njohim".
Ai ka raportuar për një problem i ngjashëm në vendbanim në Kaçanik. Ndërsa në një qendër votimi në komunën e Podujevë, vëzhguesit e AAK-së kanë vërejtur një kuti të pasiguruar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›