Kosovë, Rexhepi vlerëson raportin e DASH-it

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikim të qenieve njerëzore në Kosovë vlerësohet si i tillë nga Ministria e Brendshme e Kosovës. Ministri Bajram Rexhepi deklaroi se kanë ndërmarrë disa masa, dhe sipas tij është bërë progres në luftimin e kësaj dukurie.
Ministri Rexhepi theksoi se duhen ende të bëhen përpjekje në luftimin dhe parandalimin e kësaj dukurie.
“Me reformat e ndërmarra presim rezultate me efikase sa i përket politikës ndëshkimore për personat e përfshirë në trafikim. Kosova rëndohet në bllokun e dytë së bashku me shumë shtete demokratike, por dhe jemi në grupin e dytë së bashku me 10 shtete të Unionit Evropian. E konsiderojmë se Kosova ka bërë përparim në këtë çështje”, tha Rexhepi.
Ministri Rexhepi tha se problem mbetet veriu i Kosovës, ku vlerësohet se është më i theksuar trafikimi i qenieve njerëzore.
Ministri Rexhepi tha ndër të tjera se gjatë 2010, janë zhvilluar 190 hetime, janë arrestuar 121 persona, janë identifikuar 39 viktima dhe janë mbyllur 88 lokale.