E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Serbi përfundon raundi i 5 i bisedimeve, arrihen tri marrëveshje

BRUKSEL- Përfundoi të shtunën raundi i pestë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Siç njoftohet nga Bashkimi Evropian është arritur më në fund pajtim për çështje si: Liria e lëvizjes, regjistri civil dhe njohja e ndërsjellë e diplomave.

Burime të BE-së thanë se takimi i së shtunës ka qenë më i gjatë sesa ishte planifikuar, megjithëse ai ishte zhvilluar në formë konstruktive dhe se palët ishin të gatshme të vazhdojnë derisa të arrihej marrëveshja.

Takimi nisi në mëngjes për të përfunduar pas orës 19:00, ndërsa pritet edhe një tjetër raund bisedimesh brenda këtij muaji.

Sipas burimeve të Bashkimit Evropian, marrëveshjet e arritura për pajtim ndërmjet palëve, do të përfshihen në të ashtuquajturat konkluzionet e kryesuesit te bisedimeve që është ndërmjetësi i BE-së, Robert Kuper dhe ky dokument do t’u jepet palëve që do të marrin obligim politik për të zbatuar marrëveshjet e arritura.

Ndërkaq, do të krijohen edhe mekanizmat e mbikëqyrjes së implementimit të marrëveshjeve në fjalë dhe se BE-ja në këtë do të luajë një rol të rëndësishëm.

Thuhet se Bashkimi Evropian është i kënaqur që ka mundur të ndihmojë në arritjen e marrëveshjeve të para.

Takimi i Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut kishte nisur më 8 mars të këtij viti, ndërsa tani pothuajse pas 5 muajsh janë arritur rezultatet e para në këtë dialog.

Zyrtarët e BE-së kanë përsëritur se nuk do të ketë nevojë që marrëveshjet e arritura të nënshkruhen nga palët, sepse ato do të merren si obligim politik për t’u zbatuar nga to.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›