E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Serbi, të hënën vazhdojnë bisedimet në Bruksel

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen nesër në Bruksel, për një raund të ri të dialogut teknik në fushën e telekomunikacionit dhe energjetikës.

Sipas paralajmërimeve nga Beogradi, kjo llogaritet të jetë mundësia e fundit që u ka lënë Bashkimi Evropian palëve për të gjetur një zgjidhje për këto dy fusha.

Zëvendëskryeministri serb për politikë të jashtme dhe telekomunikacion Rasim Lajic, i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Beta se pret që të hënën të arrihet një marrëveshje me palën kosovare për këto çështje e cila sipas tij do të jetë e pranueshme për të gjithë dhe e qëndrueshme.

Në raundin e fundit në Bruksel, palët nuk kishin arritur marrëveshje, dhe Brukseli nuk kishte paraqitur asnjë zgjidhje të ndërmjetme.

Takimi i së hënës do të zhvillohet në nivel të ministrave.

Bisedimet kanë ngecur pasi Serbia insiston që ajo të kërkoj një kod telefonik ndërkombëtar për Kosovën, të cilën gjë e refuzon Prishtina.

Delegacioni kosovar ndërkaq ka thënë se kërkesën pranë Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) për prefiks ndërkombëtar do ta bëjë vet, ose eventualisht do të dakortësohet që një shtet i tretë i Bashkimit Evropian ta bëjë kërkesën për të.

Në fushën e telekomunikacionit, palët po ashtu nuk bien dakort për licencimit të një operatori serb të telefonisë celulare në Kosovë.

Beogradi po insiston që operatorit ti jepet licenca pa procedura, kurse Prishtina thotë se është licencat janë çështje e tenderimit, por se është e gatshme që ti lehtësoj procedurat për dhënien e licencës një kompanie serbe, e cila do të punonte si operator virtual, brenda rrjetit të dy operatorëve legjitim në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›