E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Shqipëri, all stars miqësore për pavarësi

Zyrtare
Ndeshja më 17 shkurt, me më të mirët e dy kampionateve. Të ardhurat, për familjet e përmbytura në Nënshkodër

Sporti shqiptar vazhdon të jetë prezent në festën e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pas kërkesës së Federatës Kosovare të Futbollit, homologia shqiptare ka pranuar që më 17 shkurt 2010 të zhvillohet një miqësore “all stars”. Në mënyrë më specifike, një seleksionim me lojtarët më të mirë të kampionatit kosovar do të zbresë në fushë përballë skuadrës me futbollistët më të spikatur në Kategorinë Superiore në Shqipëri. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv në FSHF, i cili ka ndryshuar edhe datat e çerekfinaleve të Kupës. “Ekzekutivi miratoi ftesën e marrë nga FFK-ja për zhvillimin e një miqësoreje me lojtarët më të mirë të dy kampionateve në Kosovë dhe Shqipëri, më 17 shkurt, me rastin e festës së pavarësisë”, theksohej nga organi më i lartë vendimmarrës në vend. “Në këtë kuadër u miratua edhe ndryshimi i datave të ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, që do të luhen më 10 dhe 24 shkurt 2010”.Në anën tjetër, drejtuesit e Federatës Kosovare kanë marrë një vendim mjaft të rëndësishëm. Të gjitha të ardhurat nga miqësorja që do të zhvillohet në Prishtinë, do të kalojnë në ndihmë të familjeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës. Lajmi është konfirmuar nga sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili deklaroi: “Kjo ndeshje ka vlera të dyfishta, sepse përveçse do të festohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës, është vendosur që të gjitha të ardhurat nga kjo miqësore do t’u jepen familjeve të prekura nga përmbytjet në veri të Shqipërisë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›