Vangjeli rikuperohet e zbulon ambiciet: Dua Kupën e Greqisë
Mbrojtësi
Më 10 shkurt, Arisi i lojtarit kuqezi do të luajë në çerekfinale kundër Ksanthit
Kristi Vangjeli është rehabilituar plotësisht nga dëmtimi që e mbajti afro tri javë jashtë fushave të lojës. Mbrojtësi i Kombëtares u lëndua në takimin e parë të vitit 2010, ku Arisi fitoi 3-0 në fushën e Atromitosit, pas një ndërhyrjeje brutale nga argjentinasi Perone. Gjatë një interviste për radio “Aris FM”, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka folur rreth rikthimit, trajnerit Hektor Raul Kuper, kampionatit aktual dhe ambicieve në Kupën e Greqisë. Rreth traumës më të fundit, 24-vjeçari tha: “Mungova për afro 20 ditë, por rehabilitimi erdhi me ritme normale. Për ne sportistët është e rëndësishme që të evitojmë dëmtimet, por kjo nuk është gjithmonë e mundur”. Për trajnerin e mirënjohur argjentinas, Vangjeli deklaroi: “Puna e Hektor Raul Kuper duket qartë nga rezultatet që Arisi po regjistron. Ai ndryshoi sjelljen në fushë të skuadrës dhe filozofinë e lojës, e po punojmë shumë që të përmirësohemi individualisht dhe në mënyrë kolektive. Trajneri kërkon 100 për qind nga të gjithë lojtarët në stërvitje, ai nuk bën diferencime dhe në këtë mënyrë bën që të gjithë lojtarët të qëndrojnë vigjilentë”. Më tej kuqeziu ka folur edhe për kampionatin, ku momentalisht Arisi ndodhet në vendin e katërt dhe për Kupën e Greqisë. Sfida e ardhshme në Superligë është ajo e së dielës në fushën e Ksanthit, skuadër me të cilën verdhezinjtë do të luajnë sërish më 10 shkurt në çerekfinalet e kupës. “Duhet të harrojmë çfarë kemi arritur deri më tani. Objektivi ynë është të fitojmë të dielën përballë Ksanthit në kampionat, për të ruajtur pozitat tona. Megjithatë, duam të sigurojmë edhe kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës. Kupa është objektivi ynë kryesor në këtë sezon, por duhet të mos jemi euforikë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë”, përfundoi Vangjeli.
#