Kosovë, Thaçi: Marrëveshja sjell integrimin evropian
PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për media pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai e ka cilësuar marrëveshjen e sotme si jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin.
Marrëveshja e Rambujesë i solli Kosovës lirinë, marrëveshja për Planin Ahtisari i solli pavarësinë, marrëveshja e sotme i sjell Kosovës integrimet evropiane, ka thënë Thaçi.
Ai ka pranuar se formula në fusnotë nuk është ideale, për është më e pranueshmja për momentin politik, në të cilin po kalon Kosova.
Kjo është formulë e përkohshme, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, marrëveshja e arritur sot në Bruksel ka larguar përfundimisht UNMIK-un nga tavolina e përfaqësimit me Kosovën.
Kreu i ekzekutivit është zotuar se do të punojë për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe në BE, duke thënë se një gjë e tillë është vizion i të gjithë qytetarëve të Kosovës.