E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Thaçi dënon sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku si pasojë e këtij incidenti humbi jetën një pjesëtar i EULEX-it.

Kryeministri theksoi se ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë ti kryejë detyrimet e saj kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit, thuhet në deklaratë.

Thaçi kërkoi nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që autorët e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kryeministri iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it.

Jahjaga: Sulmi ndaj EULEX-it, i patolerueshëm

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në afërsi të Zveçanit, që ka lënë një të vdekur dhe dy të plagosur.

Ky sulm ndaj EULEX-it, mision ky i cili bën përpjekje të pareshtura krahas institucioneve të tjera të sigurisë, që të vendosë rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues, në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës thekson ajo.

Sulmi ndaj EULEX-it është sulm ndaj vlerave të shtetit të Kosovës, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›