Kosovë, Thaçi uron besimtarët katolikë për Krishtlindjet

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar sot ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe gjithë besimtarët katolikë për festën e Krishtlindjeve.
Në mesazhin e urimit thuhet se festa e Krishtlindjeve është ndër festat më të rëndësishme të botës së krishterë, që kremtohet me dinjitet dhe krenari nga mbarë komuniteti katolik kudo që jeton.
“Kjo festë madhështore e njërit nga besimet më të rëndësishme të njerëzimit kremtohet edhe në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, duke e bërë fundvitin më të ngrohtë, më human dhe përmbledhës të të arriturave në familje, në shoqëri dhe arenën ndërkombëtare. Kosova i bashkohet lumturisë dhe gëzimit që sjell kjo festë e cila mishëron idenë dhe ndjenjat e besimit në vlera hyjnore dhe njerëzore, në rilindjen shpirtërore dhe kultivimin e paqes midis popujve, si kusht i zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit”, thuhet në mesazhin e Thaçit.