Dialogu, Tahiri:Marrëveshjet duhet të respektohen nga të gjithë

Shefja e delegacionit në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të respektohen nga të gjithë liderët dhe partitë politike në Kosovë.
Në një intervistë për mediat kosovare, Tahiri ka thënë se dialogu teknik është një detyrim që ka dalë nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“SHBA-ja dhe BE-ja e mbështesin plotësisht këtë dialog. BE-ja është ndërmjetësuese e këtij dialogu, që nënkupton se ky është një detyrim shtetëror dhe ndërkombëtar, dhe jam e bindur se këtë e kuptojnë të gjithë liderët dhe partitë politike në Kosovë”, tha Tahiri.
Duke iu referuar deklaratës së liderit të LDK-së, Isa Mustafa se nëse vjen në pushtet, nuk do t`i respektojë marrëveshjet e arritura me Serbinë, ka thënë se ka një porosi për Mustafën dhe të tjerët.
“Kam një porosi jo vetëm për Isa Mustafën, por për gjithë politikanët, liderët e partive politike në Kosovës, se në Evropë mund të shkohet vetëm me politika evropiane. Secili që përcaktohet për drejtim të kundërt vetvetiu nënkupton se nuk u shërben interesave nacionale të shtetit tonë, i cili me Kushtetutë është përcaktuar për integrime euroatlantike”, ka thënë zëvendëskryeministrja Tahiri.
Ajo ka paralajmëruar se më 26 dhjetor pritet fillimi i zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, më 1 janar për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe më 11 janar për regjistrin kadastral.