E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë/ Voton Sejdiu, kërkon proces transparent

Presidenti Fatmir Sejdiu ka hedhur votën e tij dhe njëherësh i ka bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. "Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për Kosovën. Apeloj në veçanti për komunitetin serb, por edhe për gjithë kosovarët që të marrin pejsë në zgjedhje", tha Sejdiu. Presidenti kosovar vlerësoi klimën pozitive elektorale në vend dhe zhvillimin e procesit deri tani. Fatmir Sejdiu përsëriti gatishmërinë dhe vendimin e qeverisë së Kosovës për një proces tranparent dhe të ndershëm.
Më herët kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar në shkollën "Faik Konica" në Prishtinë për zgjedhjet lokale. Kryeministri kosovar i ka bërë apel qytetarëve të dalin dhe të marrin pjesë në votimet për zgjedhjet lokale. "Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën , një ditë feste. Për të arritur në këtë ditë kemi punuar të gjithë. Kemi punuar për të pasur zgjedhje me standarde", tha kryeministri. Hashim Thaçi tha se komunitetet në Kosovë janë të barabartë. Ai u shpreh i sigurtë se procesi zgjedhor do jetë i suksesshëm.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar e nuk janë hapur qendrat e votimit në veri të Kosovës. KQZ ka njoftuar se në veri të të Kosovës do dërgohen ekipe të lëvizshme. Sipas KQZ-së së Kosovës, në veri mund të hapen qendra votimi alternative.
Në zgjedhjet lokale, ku do të zgjidhet kryetari i komunës dhe këshilltarët komunalë, marrin pjesë 74 subjekte politike. Mbi 1.5 milion qytetarë me të drejtë vote zgjedhin kryetarët e komunave dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale.Janë këto zgjedhjet e para të cilat në Kosovë organizohen dhe administrohen nga vetë kosovarët pas shpalljes së pavarësisë, ndërkohe që ndërkombëtaret do të kenë vetëm një rol vëzhgues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për një proces normal zgjedhor.
Për ruajtjen e sigurisë publike në Kosovë janë angazhuar 5 mijë forca policore .
Në zonat me popullsi shumice serbe, një numër i ulët qytetarësh ka marrë pjesë në votime.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›