Kosovë, arrestohet një polic për spiunazh në shërbim të Serbisë

Një efektiv i Policisë së Kosovës është arrestuar sot nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit në shërbim të Serbisë. Lajmi është konfirmuar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se ky aksion është rezultat i një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve të sigurisë në vend.
I arrestuari është identifikuar si Bojan Jevtiç, ku sipas Sveçlës, ky është i gjashti person i arrestuar në kuadër të hetimeve për spiunazh.
Njëri prej të dyshuarve të mëhershëm, tha Svelça, e ka pranuar fajësinë, gjë që vërteton seriozitetin e këtyre rasteve dhe përfshirjen e shërbimeve serbe në përpjekje destabilizuese ndaj Kosovës.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë edhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe besimin e dhënë në polici. Ne do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë ndaj çdo rreziku,” tha Sveçla.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka konfirmuar se operacioni është ende në zhvillim në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, për të hetuar veprën penale të spiunazhit.
/rtsh.al/