Kosovë, barrikadat ende të pranishme në rrugët e veriut

Në Kosovë, protestuesit serbë në veri vazhdojnë t`i mbajnë të bllokuara rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditur se gjendja në pjesën veriore të Kosovës është e qetë por e tensionuar. Ata kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë bllokimin e rrugëve për një kohë të gjatë, ndërsa i kanë cilësuar ato të paligjshme.
Ndërkaq, përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore pritet që sot të takohen për të diskutuar rreth lejimit të lëvizjes së trupave të KFOR-it dhe EULEX-it, drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë. Ata pritet të mblidhen, pas takimit që zhvilluan me Presidentin e Serbisë Boris Tadiç, mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës në veri. Përfaqësuesit e serbëve në veri kanë lënë ta hapur mundësinë që të arrihet një kompromis për të lejuar lëvizjen e lirë të forcave paqeruajtëse.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s filluan javën e kaluar një aksion për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë. Forcat e KFOR-i përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po kundërshtonin largimin e barrikadave.
Aksioni i forcave të NATO-s pasoi afatin e caktuar për zhbllokimin e rrugëve, por serbët në veriun e Kosovës refuzuan thirrjet e KFOR-it për të hequr barrikadat e ngritura në rrugët kryesore në atë zonë.