Kosovë, dorëzohet progres-raporti

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pier Mirel, kërkon nga institucionet e Kosovës reforma të thella në gjyqësi, administratë publike dhe ekonomi.
Ai ia dorëzoi raportin e progresit për vitin 2011 presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Bazuar kryesisht në krijimin e kornizës ligjore, Mirel vlerësoi se raporti i vitit 2011 tregon se në Kosovë ka zhvillime pozitive, por ligjet e miratuara sipas tij duhet të implementohen.
“Një çështje të rëndësishme që dëshiroj ta theksoj është sektori i gjyqësisë. Kemi disa vërejtje, por konsiderojmë që adoptimi i ligjeve siç është ai për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe i të tjerëve që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë pas themelimit të Këshillit Gjyqësor dhe prokurorial dhe rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve mendoj se qytetarët e Kosovës do të presin një punë më të mirë nga drejtësia”, u shpreh Mirel.