E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, miratohet ligji për amnistinë

Kuvendi i Kosovës me 91 për, 17 kundër dhe asnjë abstenim miratoi në parim Projektligjin për Amnistinë.

Të gjitha partitë politike në Kuvendin e Kosovës e kanë përkrahur këtë projektligj, me përjashtim të lëvizjes Vetëvendosje, e cila vlerësoi se ai është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës.

Behar Selimi nga Grupi parlamentar i PDK-së theksoi se ky grup është pro projektligjit për amnisti pasi mendojnë se me këtë po i shpërbëjnë strukturat paralele dhe po mundësojnë integrimin e qytetarëve serbë.

Ai tha se e përkrahin projektligjin, pasi kanë arritur konsensus të hiqet neni 3.

Edhe Haki Demolli nga Grupi parlamentar i LDK-së tha se LDK përkrah aprovimin e këtij ligji. Sipas tij, ligji është ndërmarrë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Arsyeja e dytë pse përkrahet ligji tha se ka të bëjë me atë se është hequr neni 3, kërkesë kjo edhe e LDK-së.

Ndryshe, nga PDK, LDK, AAK e AKR, mendojnë deputetët e Vetëvendosjes.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje deklaroi se projektligji për amnisti është në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Sipas saj, me largimin e nenit 3 projektligji nuk ka pësuar ndryshime substanciale.

Ajo tha se me këtë projektligj janë shpërfillur të gjitha procedurat e Kuvendit, vetëm për tu ndier mirë Dacic dhe kjo sipas saj është për të ardhur keq.

Për të tepër sipas saj, projektligji është edhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›