Kosovë, një afgan në krye të misionit të Kombeve të Bashkuara
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka njoftuar emërimin e diplomatit Zarif Farid, nga Afganistani, si përfaqësuesi i ri i posaçëm i OKB për Kosovën dhe kreu i misionit të Kombeve të Bashkuara atje.
Zarif pason Lamberto Zannierin e Italisë, i cili drejtoi misionin e OKB deri në qershor.
Në deklaratën e OKB-së thuhet se Zarif sjell “përvojë të gjerë në çështjet diplomatike ndërkombëtare dhe OKB-së”, ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda dhe jashtë Afganistanit, përfshirë këtu si ambasador i Afganistanit në OKB në vitet 1981-1987.
Zarif u bashkua me OKB-në në vitin 1993 dhe ka shërbyer në selinë e saj në Nju Jork, si dhe në operacionet e saj politike, humanitare dhe paqeruajtëse në Eritre, Liberi, Afrikë të Jugut, Irak dhe Sudan.