Serbët: Na jepni veriun, të njohim Kosovën
Njëri nga anëtarët e ekipit negociator të Kosovës për dialogun teknik me Serbinë, Lirim Greiçevci, ka bërë publike ofertën që kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviç u ka bërë në një nga ditët gjatë bisedimeve në Bruksel.
Grajçevci ka thënë në një intervistë për Televizionin Klan Kosova se kjo është një dëshirë serbe e pa thënë zyrtarisht, por e përmendur në takimet në Bruksel.
Ai mu afrua dhe tha se vendosni kufirin atje ku duhet të jetë dhe ne ju njohim juve një ditë më pas, ka treguar ai.
Grajçevci thotë se Stefanoviç e kishte fjalën për kufij te Ura e Ibrit.
Unë i thashë se kjo është absurde dhe nuk do të ndodhë kurrë, ka deklaruar këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi.
Më tutje, Grajçevci shton se Stefanoviç nuk ka marrë guximin që të shtrojë këtë ide kaq absurde në tavolinë të bisedimeve. / Kosovapress