Kosovë, opozita kundër modelit të përfaqësimit rajonal

Partitë opozitare në Kosovë, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, janë shprehur kundër modelit të mbishkrimit për përfaqësimin rajonal të vendit në të cilën do të merret parasysh edhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Përfaqësuesit e këtyre partive politike kanë theksuar se Kosova me këtë model të përfaqësimit rajonal, do të kthehet një hap prapa.
“Unë e kuptoj kryeministrin që thotë: "Po në takime të caktuara" etj. etj. Por, sidoqoftë është kthim prapa. Është një inkurajim për ata që dëshirojnë të nxjerrin telashe”, ka thënë për “Epoka e Re”, Eqrem Kryeziu, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sekretari i përgjithshëm I Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka paralajmëruar se nëse Qeveria e Kosovës pranon një model të tillë të përfaqësimit të Kosovës, atëherë Vetëvendosje do ta kundërshtoj nëpërmjet protestave.
NdërSA, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se “Rezoluta 1244 ka qenë presion i Serbisë”.
Për të, ky kompromis nuk është asgjë tjetër veçse kalim nga bisedimet “gjoja teknike në bisedimet të drejtpërdrejta politike, të cilat nuk po e kushtëzojnë Serbinë, por Kosovën”.