Kosovë, përkujtohet demonstrata e 10 shkurtit 2007
Lëvizja "Vetëvendosje" përkujton sot katërvjetorin e demonstratës së 10 shkurtit 2007, demonstratë kjo e organizuar kundër negociatave me Serbinë dhe planit të Ahtisaarit.
Në demonstratën e 10 shkurtit 2007, kjo lëvizje kërkonte vetëvendosje për popullin e Kosovës dhe e kundërshtonte Planin e Ahtisaarit, pasi sipas tyre e ndan Kosovën në vija etnike dhe religjioze. Gjatë demonstratës së 10 shkurtit 2007 janë vrarë nga forcat policore të UNMIK-ut, Mon Balaj dhe Arben Xheladini dhe u plagosën 80 demonstrues.
Në njoftimin e lëvizjes Vetëvendosje pohohet se Plani i Ahtisaarit është aktual ende. Po ashtu dhe negociatat me Serbinë e koncesionet ndaj saj, të cilat nuk i ndali shpallja e pavarësisë.
“Katër vjet më parë sfida ndaj regjimit e zbuloi fytyrën e vërtetë të tij. Një fytyrë që s`ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Prandaj, edhe beteja vazhdon.”, thuhet në deklaratën e "Vetëvendosjes".
Me rastin e 4 vjetorit të protestës së 10 Shkurtit 2007, do të ketë homazhe te varri i Mon Balaj në Podujevë dhe te varri i dëshmorit Arben Xheladini, në Prishtinë.
Po ashtu do të vendosen lule tek pllaka përkujtimore, në sheshin “Nëna Tereza”, Prishtinë.
Ndërkaq, në orët e pasdites do të shfaqet filmi “10 Shkurti”, ndërkaq do të organizohet një akademi përkujtimore si dhe do të ketë një ekspozitë.