Kosovë, vihet në dyshim projekti i Hidrocentralit të Zhurit
Projekti për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit është vënë sërish në ekspertizë dhe shanset për realizimin e tij duken të vogla. Në mandatin e kaluar, Qeveria e Kosovës këmbëngulte se projekti ka arsyeshmëri ekonomike dhe si i tillë do të realizohet, ndërsa tash, qeveria e re, por me drejtues të njëjtë, ka dhënë indikacione se duhet të rishikohet e ardhmja e hidrocentralit, shkruan “Koha Ditore”. Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se projekti i Hidrocentralit të Zhurit është në fazën e rishikimit dhe vlerësimit të fizibilitetit. Ai ka thënë se është duke u vlerësuar edhe një herë nevoja e madhësisë së kapacitetit të HC të Zhurit. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke i vazhduar konsultimet e nevojshme me palën shqiptare për disa çështjeve të hapura rreth shfrytëzimit të ujërave në përputhje me marrëveshjet ndërshtetërore në mes të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë. Qeveria e Kosovës e pati shpallur shprehjen e interesit për HC të Zhurit, por në të njëjtën kohë Qeveria Shqiptare kishte dhënë me koncesion 5 hidrocentrale të vogla, të cilat do të ndërtoheshin me ujin që rrjedh nga Kosova, pra me ujin që planifikohet të furnizohet edhe HC i Zhurit. Ka pasur disa takime, por që kanë rezultuar pa një marrëveshje. Atë kohë, Qeveria e Kosovës këmbëngulte se projekti ka arsyeshmëri ekonomike dhe si i tillë është shumë i rëndësishëm për sistemin energjetik të Kosovës. Ndërsa, pala shqiptare theksonte se duhet të bashkohen dy sistemet energjetike, prandaj e shihte të panevojshme ndërtimin e HC të Zhurit me kapacitetet e parapara prej 305 megavateve.