E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, zgjedhja e Presidentit përplasThaçin me Pacollin

Zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës ka përplasur dy liderët e koalicionit qeverisës, Hashim Thaçin dhe Behgjet Pacollin.

Gazeta Zëri, duke iu referuar burimeve të saj shkruan se kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, duke u munduar ta anashkalojë marrëveshjen e arritur politike ndërmjet tij, Behgjet Pacollit e Isa Mustafës për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale më 2012, ka kërkuar që ato të mbahen në të njëjtën kohë me ato parlamentare, më 2013.

Mirëpo, me një të tillë thuhet se nuk ka rënë dakort kreu i AKR-së, i cili njëherësh është edhe zëvendësi i parë i Thaçit.

Pacolli sipas burimeve të gazetës, ia ka bërë të ditur kryeministrit se marrëveshja ka qenë që zgjedhjet për presidentin e Kosovës të mbahen vitin e ardhshëm, e jo siç kërkon Thaçi.

Thaçi, duke e parë e se nuk e ka përkrahjen e partisë së Pacollit, për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve ka kërkuar tani mbështetje AAK-ja, thonë burime brenda kësaj partie. Sipas këtij burimi, në një bisedë të afërt mes Thaçit dhe njerëzve të afërt me liderin e AAK-së, ka kërkuar që kjo forcë ta mbështesë idenë e tij.

Mirëpo, zyrtarë të AAK-së thonë se nuk dinë gjë për një takim të tillë ndërsa në anën tjetër as nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi nuk pranon se PDK ka diskutuar një çështje të tillë.

Ndërkaq, zyrtarët e LDK-së, të cilët janë pjesë e marrëveshjes kanë thënë se do të qëndrojnë prapa kësaj marrëveshje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›