E Martë, 3 Nëntor 2026

Kosovë, zgjedhjet në veri më 21 prill

Me 8 vota për dhe 2 abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për shkarkimin nga detyra të 4 kryetarëve shqiptarë në komunat veriore me shumicë serbe. 

Kreu i Sekretariatit Burim Ahmetaj tha se ajo do të ishte periudhë më e përshtatshme për zhvillimin e votimit. 

Rekomandimi i Sekretariatit i KQZ-së erdhi pas verifikimit të nënshkrimeve të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviçit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, të realizuara gjatë janarit. 

Sipas institucionit që është përgjegjës për zgjedhjet, në këto katër komunat me shumicë serbe është përmbushur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm i votuesve. Peticioni u nënshkrua edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023. Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave veriore, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet që të votojnë 50 +1  për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Pas votimit, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor nga 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat me shumicë serbe. 

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›