E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjykata Speciale ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish-komandantit të UÇK

Gjykata Speciale ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish-komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sylejman Selimi. 

Aksioni u zhvillua në lagjen “Qëndresa” në Veternik. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar operacionet e zhvilluara gjatë së enjtes në Prishtinë, por pa dhënë detaje. 

Vitin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer kontrolle në banesat e Artan Behramit, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt. Të tre kanë qenë këshilltarë të ish-presidentit Hashim Thaçi. 

Aktualisht në Gjykata Speciale me seli në Hagë po zhvillohen gjyqet ndaj 4 ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar. 

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al / 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›