Kosovë,Reeker kritika të ashpra ndaj Vetëvendosjes
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për pengimin e proceseve, pengim të punës së institucioneve dhe punës së diplomatëve duke përmendur incidentin me ambasadoren Tracy Ann Jackobson.
Këto komente, Reeker i ka bërë gjatë një konference për gazetarë, i shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës që po bën në Kosovë, ku ka zhvilluar takime me udhëheqësit vendas, përveç atyre të Vetëvendosjes.
Palaçot që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre dhe për të ardhmen e vendit të tyre, ka thënë Reeker, duke i porositur që sjellje të tilla nihiliste nuk i takojnë shekullit XXI.
Kritikat e diplomatit amerikan pasuan protestat e fundit të Lëvizjes Vetëvendosjes për pengimin e ratifikimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjatë së cilave u pengua edhe ambasadorja amerikane të hynte në ndërtesën e parlamentit, ndërkaq në një rast ajo edhe pësoi një lëndim të lehtë.
Reeker ka thënë më tej se Shtetet e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimet në Kosovë dhe për atë arsye edhe ai ndodhej në Prishtinë që të tregonte këtë përkushtim të madh të cilin ai kërkoi që duhet respektuar.
Veprimet e fundit të Vetëvendosjes ai i ka cilësuar si jonormale. Ata që kundërshtojnë këtë proces, kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara, ka thënë Reeker.
Po ashtu, ai ka porositur deputetët e Kuvendit të cilët i ka ftuar ta lexojnë mirë ligjin për amnisti, si pjesë të rëndësishme të zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë dhe ka kërkuar që ai të miratohet.
Njëherësh, Reeker e ka konsideruar si shumë të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve të lira në komunat veriore duke e inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të luaj rolin e tyre në informimin e qytetarëve të atjeshëm për Marrëveshjen dhe rëndësinë e saj.
Po në çështjen e aministisë është ndalur edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Ai ka konfirmuar se ka takuar përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës që e mbështesin Marrëveshjen me Serbinë në mënyrë që Ligji për Amnistinë, pas ndryshimeve që ka pësuar të premten, të aprovohet në Kuvend.
Kryeministri Thaçi ka shprehur besimin e tij se pavarësisht mos-miratimit të këtij Ligji në këtë fazë, takimi i tij me kryeministrin serb Ivica Daçiç i parashikuar për të hënën në Bruksel do të mbahet.
Vizita e Philip Reeker-it në Prishtinë ka nisur më 4 korrik dhe do të përmbyllet të shtunën. Ai ka zhvilluar takime të ndara edhe me presidenten Atifete Jahjaga, si dhe liderët opozitar të LDK-së dhe AAK-së.