E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë,qeveria pret presionin e BE-së ndaj Serbisë për veriun

Qeveria e Kosovës pret nga Bashkimi Evropian që t`i bëjë presion Serbisë për të zgjidhur problemin më të madh të vendit, situatën në veri. Në një paraqitje para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se situata në veri, ku institucionet shtetërore të Kosovës ende nuk funksionojnë, është një sfidë për qeverinë dhe institucionet e vendit, përballja me të cilën mund të bëhet vetëm në koordinim me faktorin ndërkombëtar.
“Veriu mbetet sfidë e lartë, mirëpo të gjitha veprimet tona në atë pjesë koordinohen me faktorin ndërkombëtar, si me EULEX-in dhe KFOR-in”, ka thënë ministri Rexhepi, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e situatës atje mund të gjendet në trekëndëshin Prishtinë-Bruksel-Beograd. Është larg asaj që të themi se ne jemi të kënaqur me situatën në veri, por presim që BE-ja të bëjë presion mbi Serbinë”, ka thënë ministri Rexhepi.
Kreu i MPB-së ka folur para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane edhe për rritjen e kontrabandës në veri të Kosovës, duke shpjeguar se fillimisht pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës më 25 korrik të vitit të kaluar ajo ishte pakësuar, por që është shtuar gjatë sezonit dimëror.
“Gjatë verës dhe vjeshtës ka pasur shumë rrugë dytësore që i pati marrë për obligim atëherë KFOR-i që t`i menaxhonte ato përgjatë vijës së gjelbër, dhe Policia e Kosovës, policia kufitare dhe doganierët i kontrollojnë vetëm pikëkalimet, por vijën e gjelbër edhe më tutje e menaxhon KFOR-i në këtë pjesë”, tha Rexhepi. Mirëpo, ai ka shtuar se rezultatet nuk kanë qenë të mira për arsye se gati çdo javë është krijuar nga një rrugë dytësore ilegale nëpër pjesët e ndryshme malore.

Ai ka folur edhe për praninë e efektivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) në veri dhe në pjesët e tjera të Kosovës, duke thënë se policia e Kosovës është duke punuar në identifikimin dhe largimin e tyre.
“Është duke u bërë gjithçka që është e mundshme në identifikimin e tyre dhe largimin nga struktura e Policisë së Kosovës, duke ndërmarrë masa për rekrutimin e policëve të rinj nga i njëjti komunitet që nuk janë të inkriminuar në struktura kriminale dhe nuk janë të shantazhuar nga ndikimi i Beogradit”, ka thënë ministri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›