Kosovës i duhet sundimi i ligjit

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se Kosovës i duhet sundimi i ligjit, zgjedhjet e lira, zhvillimi i demokracisë dhe zhvillimi ekonomik, si kushte të domosdoshme për një perspektivë ndryshe.
Sipas Krasniqit, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i demokracisë janë ndër gjërat më të rëndësishme për Kosovën për sot e nesër.“Sundimi i ligjit në kuptimin më të mirë të fjalës jo vetëm që i hapë mundësitë e zhvillimit ekonomik, por edhe ia qelë të gjitha rrugët e integrimeve euroatlantike Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sundimi i ligjit është garantuesi i sigurisë dhe i stabilitetit në Republikën e Kosovës. Sundimi i ligjit se bashku me zhvillimin e demokracisë ndihmojnë edhe zhvillimin e një drejtësie sociale, e të gjitha se bashku krijojnë një perspektivë ndryshe për qytetarët e republikës sonë. Breza të tërë janë flijuar për këtë perspektivë”, ka shkruar kryeparlamentari Krasniqi.
Po ashtu ai ka thënë se sundimi i ligjit dhe zhvillimi i demokracisë janë garantuesit kryesor për krijimin e kushteve për investimet e huaja. Pa sundimin e rendit e të ligjit, shkruan Krasniqi nuk mund të këtë as zgjedhje të lira dhe për pasojë nuk do të ketë as institucione demokratike të shtetit.
“Themeli i një shoqërie demokratike janë zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike. Populli ynë duhet ta shtojë përgjegjësinë për votën e tij nga e cila varet e ardhmja e tij dhe e fëmijëve të tij. Filli i perspektivës për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit nisë nga zgjedhjet e lira, të drejta e të fshehta”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”. Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se pa sundim të ligjit nuk do të ketë as reformim dhe funksionim efikas të sistemit të drejtësisë dhe për pasojë nuk do të këtë as luftim efikas të krimit e të korrupsionit, krim që po e grabitë të ardhmen dhe perspektivën e popullit tonë. /Epoka e re/