Kosovrasti, padi për sekretarin e Këshillit bashkiak
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Tiranë Njazi Kosovrasti ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal për shpërdorim detyre, për sekretarin e Këshillit Bashkiak, Behar Zeneli.
Në kallëzimin penal, Kosovrasti thekson se në shkelje të nenit 36, pika 2, ligji organik, nr. 8652 datë 31.07.2000: “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, më datë 28/04/2013, shtetasi Behar Zeneli, në cilësinë e sekretarit të Këshillit Bashkiak Tiranë ka lëshuar aktin e titulluar: “njoftim”, për zhvillimin e mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak”.
“Kjo shkelje e paprecedentë e ligjit është arsyeja që më detyroi t’ju drejtohem Juve, me këtë kallëzim penal. Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, mendoj se një precedent i tillë i shkeljes së ligjit me dashje, përbën vepër penale dhe konkretisht veprën e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, atë të shpërdorimit të detyrës” shkruan në kallëzimin penal Niazi Kosovrasti .
Më tej, Kosovrasti thekson se me kallëzimin e këtij akti, nuk synon të dënoj sekretarin e këshillit bashkiak, por nëpërmjet tij të përfshihem në denoncimin e kësaj praktike kriminale të përdorimit të detyrës, në funksion të interesit të partisë dhe jo të shtetit, funksionar i të cilit Zeneli është.