Kosta Rika, e kualifikuara e fundit në Botëror

Kosta Rika është kombëtarja e fundit që kualifikohet në Kupën e Botës në Katar. Skuadra e Amerikës Qendrore fitoi play-offin me Zelandën e Re, duke triumfuar 1-0 në fushën neutrale të Al Rayyan. Për kostarikanët, goli i ish-sulmuesit të Arsenal dhe Frosinone, Joel Campbell pas 3 minutash, pas një aksioni konfuz, mjafton për të rrëmbyer biletën e fundit për kompeticionin. Në grupe do të gjejë Spanjën, Gjermaninë dhe Japoninë.
Zelanda e Re luajti që nga minuta e 67-të me një lojtar më pak për shkak se Barbarouses u ndëshkua me kartonin e kuq. Fituesit e zonës së Oqeanis u përpoqën me të gjitha forcat, por Kosta Rika arriti të ruajë deri në fund avantazhin e arritur në fillimin e sfidës. Një kalim jo i lehtë, por kostarikanët, në kampionatin e tyre të tretë botëror në histori, tashmë janë mësuar me surpriza të mëdha në grupe të forta.