Kouchner:EULEX, do të fillojë punën së shpejti

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Bernard Kouchner ka deklaruar se misioni civil evropian në Kosovë, EULEX, do të fillojë punën së shpejti. "EULEX-i do të vendoset brenda disa ditësh", ka thënë Kouchner në një konferencë për media pas takimit, të ditës së parë, të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s. Ministrat e jashtëm të NATO-s janë takuar të martën në Bruksel, ku në takimin dyditor, krahas çështjeve të tjera botërore diskutojnë edhe për mënyrat për dislokimin e misionit EULEX në Kosovë. Kouchner ka thënë se mund të ndodhë një "befasi e mirë" në Kosovë nëse merren parasysh qëndrimet edhe të shqiptarëve edhe të serbëve. "Në kohën e fundit nuk ishte fare lehtë, ngase duhej zgjidhur problemet ligjore, raportin në mes të Rezolutës 1244 dhe domosdoshmërisë që BE-ja të merrte përgjegjësinë", ka thënë Kouchner. Kochner ka thënë se, në kohën e fundit shqiptarët nuk ishin të kënaqur, ndërsa më herët të pakënaqur ishin serbët - mirëpo sipas tij, "gjërat po përparojnë në mënyrë pozitive". Gjatë ditës së martë ndërkaq, është raportuar po ashtu se EULEX-i do të fillojë misionin e tij më 9 dhjetor, në tërë territorin e Kosovës. Këtë gjë për mediat e kanë pohuar zëdhënësit e këtij misioni në Prishtinë. Ndërkaq, ambasador i Rusisë në Beograd, Aleksandër Konuzin ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë trysni mbi Prishtinën që të pranojë planin gjashtëpikësh të Ban Ki-Moonit.