Kozakët “pushtojnë” Moskën

Andrej Shalnov e shikon me adhurim shpatën e tij. Në rripin e tij gjendet edhe një thikë. Shpata dhe thika zakonisht gjenden të vendosura në këndin më të mirë të banesës së tij në Moskë, afër ikonave ortodokse. “Arma është dora e zgjatur e një kozaku”, thotë ai.
Për të, shpata është pjesë e kulturës së kozakëve, të cilën ai e jeton. Ai detajisht rrëfen për atë se si armët bekohen nga kisha. “Kisha ortodokse bekon kozakët për luftën kundër të keqes. Mbrojtja e besimit është një obligim për kozakët. Kohëve të fundit kemi sulme të shumta kundër kishës. Ne jemi pjesë e shoqërisë, e cila mund të mbrojë kishën”, thotë Shalnov.
Për Shalnovin kozakët janë një nacionalitet. Gjyshi i tij ishte kozak dhe ka jetuar në qytetin Astrahan, në jug të Rusisë. Gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik, termi kozak ishte shlyer pothuajse në tërësi nga fjalori. Tani Shalnov kërkon ti kthehet rrënjeve të tij të vjetra.
Ai dëshiron ti rikthehet traditave të vjetra. Në përditshmëri kjo nënkupton se ai nuk guxon të konsumojë alkool, të mos pijë duhan dhe të lutet dy herë në ditë.
“Në familje kemi një patriarkat”, thotë ai. Edhe pse në një version më modern-bashkëshortja e tij punon në një bankë dhe fiton më shumë se ai. Çifti ka vetëm një fëmijë, edhe pse ëndrra e kozakëve është që të kenë së paku tre fëmijë.
Para pesë viteve Shalnov është vendosur në Moskë. Ai i është bashkuar komunitetit kozak, i cili numëron rreth 500 anëtarë në kryeqytetin e Rusisë.
Veshjen tradicionale dhe armët e kozakëve ai nuk i bartë për çdo ditë, por vetëm në raste të veçanta.
Rusia e sotme gjithnjë e më shumë po mbështetet në patriotizëm dhe duke pasur parasysh këtë, kozakët sot janë në trend.
Gjatë regjistrimit të popullsisë në usi, në vitin 2010, 67 mijë banorë u deklaruan si kozakë, shumica prej të cilëve jetojnë në jug të Rusisë.
Kohëve të fundit, kozakët janë tejet të pranishëm në opinion. Në shtator ata protestuan kundër një ekspozite në Moskë, kushtuar grupit të rokut “Pussy Riot”.
Shteti rus po i mbështetë organizatat e kozakëve me vlerat e tyre konservatore dhe po përpiqet që njëkohësisht ti shfrytëzojë për qëllimet e veta. Që tri vjet ekziston edhe një Këshill presidencial për çështjet e kozakëve. Në tetor, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi “Strategjinë për zhvillimin e kozakëve deri në vitin 2020”.
Në vitin 2005, Putinit ju nda titulli i kryesuesit të kozakëve, siç i ndahej dikur carëve të Rusisë.
Kozakët sot kanë mundësi që të formojnë firmat e tyre të sigurisë dhe të bartin armë, duke shpresuar se së shpejti ata do të angazhohen edhe nga shteti për shërbime.
Para një muaji, Aleksander Beglov, i dërguari i posaçëm i Putinit në rajonet qendrore të Rusisë, premtoi se kozakët së shpejti do të ruajnë objektet ushtarake, ndërsa zëvendëskryeministri i Rusisë, Dimitri Rogozin, propozoi që kozakët të shoqërojnë transportet e armëve, të cilat Moska i eksporton në shtetet tjera.
Igor Petrunin i është bashkuar kozakëve, edhe përkundër faktit se ai nuk ka lidhje gjaku me kozakët.
“Dëshiroj të vendosi rregull, sot kemi kaos në vendin tonë, i cili duhet të rregullohet disi”, thotë ky 55 vjeçar. Që tri javë, ai së bashku me kozakët tjerë po patrullon vullnetarisht në lagjen Ljublino në Moskë. “Njerëzit na respektojnë”, thotë Petrunin.
Edhe pse detyra që ju është besuar nuk është aspak e lehtë, Petrunin është i bindur se kohërat e arta për kozakët do të vijnë.
“Kozakët po ringjallën, për të çrrënjosur kaosin. Rusia nuk mund të mposhtet aq lehtë, për këtë arsye vendet e huaja po paguajnë para, për ta destabilizuar vendin nga brenda”, thotë Petrunin. “Para revolucionit kozakët i kanë shërbyer carit, sot i shërbejnë presidentit”, shton ai.
Qeverisë kozakët mund ti shërbejnë edhe si aleat politik. Javën e kaluar kozakët formuan partinë e tyre në Rusi. Kryetari i partisë, Sergei Bondarev, ka qenë ish-anëtar i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar dhe është zëvendësguvernator i qytetit Rostov.
“Partia nuk është vetëm për kozakët, por për të gjithë qytetarët e Rusisë. Nuk jemi as të majtë, e as të djathtë, ne ecim përpara”, thotë Bondarev. Në zgjedhje, partia e re mund t’i bëjë konkurrencë komunistëve: inicialet e partisë, KaPRF janë tejet të ngjashme me inicialet e Partisë Komuniste, KPRF.