Krasniqi: Agjencioni kundër Korrupsionit, agjenci mediatike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi edhe një herë ka folur për korrupsion në Kosovë, por tash i është lëshuar në “qafë”, Agjencionit kundër Korrupsionit.
Pas një debati të ashpër për Propozim-strategjia dhe Plani i Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017, kryeparlamentari Krasniqi duke iu drejtuar deputetëve, tha se Agjencia kundër Korrupsionit është agjenci e reklamës mediatike, dhe jo e luftimit të korrupsionit.
“Nëse një deputet mendon se Agjencioni kundër Korrupsionit do të lufton korrupsionin, le ta din se ajo nuk do të ndodhë kurrë. Ai agjencion është më tepër për të mediatizuar korrupsion se sa për ta zgjidhur atë”, tha Krasniqi.
Kuvendi ka miratuar sot me 54 vota për, dhe 45 kundër “Propozim-strategjinë dhe Planin e Veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017”.
Opozita ka bërë thirrje kundër këtij ligji, ndërkaq Kuvendi ka miratuar edhe, “Projektligjin për kompetencat e zgjeruar për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale” dhe, “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit”. /Indeksonline/