E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Shërbimet partiake, mafioze

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha për "Shqip" se "tani që hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, çdo mekanizëm që mbetet jashtë Shërbimit Informativ Kombëtar mund të konsiderohet një mekanizëm mafioz, i cili nuk do të ketë mbështetje ligjore",

Deri tani në Kosovë kanë operuar shërbimet e partive politike.

A do të nxirren jashtë loje këto lloj shërbimesh me ligjin e ri që do të miratohet dhe do të hyjë në fuqi dhe a do të shpërbëhen tërësisht apo thjesht do të shndërrohen në shërbim shtetëror?

Sigurisht, kalimi në tranzicion por edhe në vende të tjera, krijon vështirësi, tendenca, që me të vërtetë grupe apo edhe parti të kenë shërbime informative, edhe pse në rrethana të reja shtetet e vogla siç është Kosova, e kanë të vështirë ta kenë një shërbim informativ edhe në kushte ligjore të funksionimit të ligjit, natyrisht unë nuk i quaj të gjitha shërbimet që kanë ekzistuar të partive politike. Mendoj se Kosova ka pasur një shërbim informativ edhe para luftës, por në mënyrë të veçantë ai ka qenë funksional gjatë luftës...

Cili është ai?

Shërbimi Informativ i Kosovës ka qenë në zyrë të veçantë. Ai ka pasur një bashkëpunim me shërbimet e huaja që janë vendosur në Kosovë, ka qenë legal, edhe pse Kushtetuta e Kosovës, korniza kushtetuese e saj, nuk e ka paraparë një mekanizëm të tillë.

Shërbimi i ri që do të krijohet do të mbështetet në të vjetrin apo do të fillojë nga zeroja? E kam fjalën për njerëzit...

Nëse ka kuadro të mira nga ato që kanë qenë ekzistues, mund të merren. Por mendoj se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar që është në Kosovë, do ta bëjnë një mekanizëm të ri, ku do të hyjnë njerëzit që profesionalisht mund ta ushtrojnë detyrën e tyre.

Ndërkohë ligji parashikon që edhe serbët të jenë pjesë e këtij shërbimi? A mund t‘i konsideroni të besueshëm ata duke pasur parasysh situatën e komplikuar në terren dhe shërbimet e tyre që janë mjaft aktive në Kosovë?

Shërbimi do të jetë i të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj ne nuk do t‘i ndajmë të besueshëm dhe të pabesueshëm. Qytetarët e Kosovës do të kenë obligime ligjore dhe kushtetuese ndaj vendit të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›