E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet me 8 plumba selia e BDI-së në Tetovë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Sulmime me armë dhe me gurë janë shënuar në orët e paradites së djeshme ndaj selive BDI dhe PDSH në Maqedoni. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme e cila nëpërmjet një komunikate ka njoftuar sulmet që i janë bërë shtabeve partiake të BDI-së dhe PDSH-së në rajonin e Tetovës. Në këtë njoftim mësohet se selia e BDI-së është sulmuar rreth orës katër të mëngjesit të së dielës. Sulmuesit ende nuk janë identifikuar nga policia, ndërkohë që mësohet se ata kanë qenë në një automjet tip “Golf” në momentin kur kanë sulmuar dhe me pas janë larguar në drejtim të paditur. “Janë shkrepur tetë plumba në drejtim të shtabit të BDI-se që është vendosur në lokalin e Shaban Beqiri në rrugën Braqa Miladinovi, ndërsa një plumb ka goditur lokalin e afërt. Nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale”, bëhet e ditur në komunikatën e Ministrisë së Brendshme. Një sulm i ngjashëm por këtë herë jo me armë është shënuar edhe ndaj selisë së Partisë Demokratike Shqiptare në fshatin Gllogje të Tetovës. Sipas deklaratës së ministrisë, selia e PDSH-së është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit me gurë nga persona ende të panjohur. Ministria e Brendshme njoftoi se po ndërmerrë të gjitha masat për ndriçimin e këtyre incidenteve. Nga fillimi i fushatës në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit janë regjistruar rreth 12 incidente dhe sulme të shtabeve partiake, shumica prej tyre shtabe të BDI-së.
Bugajski: Maqedonia duhet të njohë pavarësinë e Kosovën
Analisti në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski, tha në Prishtinë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi paraqet një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Në një tryezë me temën "Siguria e Ballkanit pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës", zoti Bugajski tha se përveç mosmarrëveshjeve për emrin, Maqedonia duhet të qartësojë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. “Një vendim i rëndësishëm i qeverisë së re maqedonase do të ishte pranimi i menjëhershëm i pavarësisë së Kosovë, dhe tërësisë tokësore të Kosovës, duke nënshkruar kështu një marrëveshje të plotë për kufijtë i cili do ta vendoste qartazi Maqedoninë në kampin e qëndrueshmërisë së këtij rajoni, dhe mendoj se kjo do të çonte një porosi të fuqishme tek Beogradit, se Maqedonia qëndron me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovën”, tha analisti i qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Zoti Bugajski, i cili veçoi Rusinë si njëri ndër faktorët destabilizues të Ballkanit, tha se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO duhet të jenë një shembull i mirë edhe për Beogradin, i cili i mbështetur nga Moska vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës. Ai nuk përjashtoi mundësinë që edhe Serbia në një të ardhme të jetë anëtare e aleancës veri-atlantike, por Beogradi fillimisht duhet të jetë i gatshëm të marrë përgjegjësitë dhe të plotësojë kushtet për anëtarësim në NATO. “Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm të tyre, në modernizimin e forcave të armatosura, në krijimin e lidhjeve më të ngushta dhe aftësive më të mëdha nëpër misionet e ndryshme të NATO-s”. Kjo, tha zoti Bugajski, do të dërgonte një porosi shumë të qartë në tërë fqinjësinë, duke përfshirë edhe Kosovën, se të gjitha vendet e rajonit kanë mundësi për t u bërë anëtare të NATO-s, duke shpresuar se me këtë akt janë bindur edhe udhëheqësit në serbi dhe është më mirë për të qenë brenda në NATO sesa të jenë të rrethuar me NATO-n.
Tadiç: Partitë të respektojnë vullnetin e votuesve për integrimin në BE
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, u bëri thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë vullnetin e votuesve, të cilët dëshirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Presidenti Tadiç tha dje se votusit e bënë të qartë në zgjedhjet e 11 majit se mbështesin kursin pro-evropian, i cili, tha ai, do të pasohet me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Alenaca demokratike e zotit Tadiç fitoi shumicën e vendeve të parlamentit në ato zgjedhje, por jo shumicën absolute. Rivali i tij, kryeministri në largim Vojisllav Koshtunica, e përshkroi mesazhin e presidentit si “një retorikë të zbrazët”. Në një deklaratë që bëri për agjencinë e lajmeve Tanjug, zoti Koshtunica tha se 102 vendet e siguruara nga zoti Tadiç janë shumë më pak se sa shumica prej 126 vendesh, e nevojshme për të formuar qeverinë. Partia Demokratike e Serbisë e kryeministrit Koshtunica dhe Partia Radikale ultra-nacionaliste Serbe po përpiqen të krijojnë një koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë. Një koalicion i tillë do të ishte më i madh në numër se sa përkrahësit e presidentit Tadiç.
Ky lajm është publikuar: 19/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›