E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi merr premtime për njohje të reja

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deklaroi sot pas kthimit nga vizita në Britani, se gjatë takimeve me përfaqësues të shteteve të ndryshme gjatë punimeve të Konferencës Ndërkombëtare Parlamentare mbi Ndërtimin e Paqes, ka marrë premtime për njohjen e Kosovës nga disa vende, të cilat nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Krasniqi, në përbërje të të cilit ishin edhe Ibrahim Gashi, anëtar i Kryesisë; Mehmet Hajrizi, shef i Kabinetit të Kryeparlamentarit dhe Skënder Reçica, këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë, gjatë punimeve të Konferencës, e cila u mbajt në Londër dhe në Belafst, ka pasur takime me udhëheqës të lartë të Parlamenteve të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës.

Krasniqi tha të ketë marrë zotimin e përfaqësueseve parlamentar të vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë, për ndikim te qeveritë e tyre për njohje të vendit.

“Konfirmimet shpesh herë janë të lehta, por kemi marrë premtime. Këta ishin përfaqësues të deputetëve dhe ju e dini se nga shumica e këtyre vendeve parlamente nuk e kanë kushedi çfarë ndikimi, ndikimet më të mëdha i kanë presidenti dhe kryeministri. Por, megjithatë ata u zotuan se do të ndikojnë te qeveritë e tyre që të kenë parasysh njohjen e Kosovës”, ka thënë Krasniqi, transmeton KosovaPress.

Gjatë takimeve me përfaqësues të parlamenteve të Bangladeshit, Pakistanit, Sudanit dhe Malajzisë, sipas Krasniqit, mes të tjerash është biseduar edhe për procesin e njohjes së Kosovës, të cilën deri më tash e kanë pranuar 65 vende të botës.

Ai gjithashtu shtoi se ka kërkuar nga Britania e Madhe mbështetje për strategjinë për integrimin e veriut në shoqërinë kosovare, si dhe mbështetje të tjera në institucione të BE-së. “Unë i kam njoftuar edhe për përpjekjet, për strategjinë në mënyrë të veçantë pasi është një përpjekje e Qeverisë së Kosovës, e institucioneve të Kosovës dhe ICO-së. Natyrisht kam kërkuar jo vetëm mbështetje për strategjinë, por edhe mbështetje tjera nga Britania në institucionet e Bashkimit Evropian”, ka thënë kryetari i Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›