Serbia në BE, pas Kosovës

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka deklaruar se nëse Serbia nuk dëshiron në BE pa Kosovën, atëherë ajo duhet të presë derisa Kosova të bëhet pjesë e BE-së.
Kacin, në një intervistë për gazetën “Dnevnik”, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht që Serbia duhet ta plotësojë për t’u bërë anëtare e BE-së. Megjithatë, ai ka shtuar se thelbi i çështjes është nëse Serbia dëshiron apo nuk dëshiron të hyjë në BE pa Kosovën.
Nëse Serbia nuk dëshiron të hyjë në BE pa Kosovën, atëherë, sipas Kacinit, ajo duhet të presë që Kosova të bëhet pjesë e BE-së.
“Kjo do të thotë se Serbia do të jetë shteti i fundit i rajonit që do të bëhet pjesë e BE-së. Pasi që, momentalisht, Kosova është larg madje edhe nga liberalizimi i vizave, e lërë më nga anëtarësimi në BE”, ka thënë Kacin.