E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredi më të shpejta dhe me interesa më të ulëta për paguesit e rregullt, Qeveria prezanton ligjin e ri

Një projektligj i ri i hartuar së fundmi synon të transformojë rrënjësisht mënyrën se si individët dhe bizneset në Shqipëri vlerësohen për të marrë një kredi. Për herë të parë, vendi ynë do të ketë një kuadër të posaçëm ligjor për licencimin dhe funksionimin e Byrove Private të Kreditit, institucione që do të mbledhin dhe analizojnë historikun financiar të qytetarëve për të krijuar profile të sakta të besueshmërisë së tyre (credit scoring).

Deri më sot, Shqipëria ka funksionuar vetëm me Regjistrin e Kredive të administruar nga Banka e Shqipërisë, i cili ka shërbyer kryesisht për qëllime mbikëqyrëse dhe rregullatore. Drafti i ri ligjor i hap rrugë krijimit të byrove private komerciale, sipas praktikave më të mira të Bashkimit Evropian dhe rekomandimeve të Bankës Botërore.

“Projektligji synon të nxisë zhvillimin e një tregu të shëndoshë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke krijuar kushtet e nevojshme për rritjen e aksesit në kredi, uljen e kostove të saj dhe parandalimin e praktikave mashtruese në tregun financiar.”, thekson relacioni.

Çfarë sjellin Byrotë e Kreditit dhe “Credit Scoring”?

Kalimi nga një regjistër shtetëror në byro private do të sjellë risi të drejtpërdrejta për konsumatorët dhe institucionet financiare. Efektet kryesore të pritshme përfshijnë:

Kredi më të shpejta, vlerësimi i aftësisë paguese nuk do të kërkojë më ditë të tëra analizash manuale. Byrotë do të gjenerojnë raporte automatike në kohë reale, duke përshpejtuar miratimin e kredive.

Interesa më të favorshme për paguesit e mire, individët dhe bizneset me një histori të pastër paguese do të mund të negociojnë norma më të ulëta interesi, pasi rreziku i tyre për bankën do të jetë i certifikuar si i ulët.

Akses për bizneset e vogla (NMVM), bizneset e vogla do të mund të marrin financime duke u bazuar te historiku i tyre i mirë, pa qenë e nevojshme të lënë kolateral (garanci fizike si prona) për çdo hua.

Futja e Renditjes Kreditore (Credit Scoring), ku për herë të parë, qytetarët do të kenë një “notë” ose vlerësim algoritmik të besueshmërisë së tyre, të bazuar në kritere transparente dhe jo-diskriminuese.

Kush do t’i raportojë të dhënat tuaja?

Një nga risitë më të mëdha të ligjit është zgjerimi i burimeve të informacionit. Të dhënat nuk do të raportohen vetëm nga bankat.

Sipas nenit 7 të projektligjit, ofrues të të dhënave do të jenë edhe institucionet financiare jo-banka, shoqëritë e sigurimit, organet tatimore, bashkitë (njësitë e qeverisjes vendore), si dhe kompanitë që ofrojnë mallra apo shërbime me pagesë të shtyrë.

Kjo do të thotë se mospagimi i faturave utilitare (si energjia elektrike apo uji) ose detyrimeve tatimore mund të ndikojë drejtpërdrejt në “notën” tuaj të kreditit.

Mbrojtja e privatësisë dhe e drejta për t’u ankuar

Meqenëse byrotë do të përpunojnë një volum të madh të dhënash sensitive financiare, projektligji vendos rregulla të rrepta në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, nën mbikëqyrjen e Komisionerit përkatës.

Të dhënat pozitive (kreditë e paguara rregullisht) do të ruhen deri në 3 vjet pas përfundimit të kontratës. Të dhënat negative (vonesat, mospagimet) do të ruhen deri në 5 vjet nga data e shlyerjes së detyrimit, dhe më pas do të fshihen.

Çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë pa pagesë (në raste të caktuara) raportin e tij kreditor. Nëse konstaton pasaktësi, ai ka të drejtë të ankohet dhe byroja është e detyruar ta shënojë menjëherë informacionin si “të kundërshtuar” derisa të bëhet verifikimi nga institucioni raportues.

Për të garantuar pavarësinë dhe shmangien e monopolit, byrotë e kreditit do të licencohen si Shoqëri Aksionare (Sh.a.) pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ndërsa bankat dhe institucionet financiare do të kenë kufizime të rrepta për të poseduar paketa kontrolluese të aksioneve në këto byro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›