Kredi strehimi pa interes, Lamallari: Përfitojnë 70 punonjës të strukturave të sigurisë

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Në kuadër të programit të kredive me 0% interes për blerjen e banesës, në mbështetje të punonjësve të administratës publike do të përfitojnë edhe punonjësit e strukturave të sigurisë, për të cilët janë caktuar 70 kuota.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, informoi sot se aplikimet kryhen përmes platformës e-Albania dhe do të jenë të hapura nga 27 gushti deri më 25 shtator 2026.
“Një mbështetje konkrete për ata që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së vendit. 300 kredi me 0% interes për punonjësit e administratës publike për blerjen e banesës. Për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore janë në dispozicion 70 kuota. Sepse pas uniformës janë njerëz, familje dhe sakrifica të përditshme”, u shpreh Lamallari.
Lamallari theksoi se punonjësit që plotësojnë kriteret e përfitimit mund të aplikojnë online në e-Albania brenda afatit të përcaktuar.
Programi synon t’u krijojë mundësi punonjësve të administratës publike që plotësojnë kriteret e përcaktuara të përfitojnë financim me 0% interes për blerjen e banesës.
Në total, nga kjo thirrje do të përfitojnë 300 punonjës të administratës publike.
1 nga 2/m.m/a.f/