E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump riemërton liqenin Ontario në liqeni Amerika, kërkon edhe riemërtimin e një oqeani

UASHINGTON, 27 gusht /ATSH-ANSA-AA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon riemërtimin e liqenit Ontario në liqeni Amerika.

“Do ta ndryshojmë emrin e liqenit Ontario, me efekt të menjëhershëm, në liqeni Amerika”, tha Trump në Zyrën Ovale, përpara se të nënshkruante urdhrin ekzekutiv.

Nënshkrimi vjen teksa marrëdhëniet mes Kanadasë dhe SHBA-së janë përkeqësuar pas dështimit të negociatave tregtare dhe vendosjes nga Washingtoni të tarifave të reja ndaj mallrave kanadeze, ndaj të cilave Otava u kundërpërgjigj menjëherë.

Urdhri udhëzon sekretarin e brendshëm, Doug Burgum dhe Departamentin e Brendshëm që të përditësojnë Sistemin e Informacionit për Emrat Gjeografik për të pasqyruar emrin e ri.

Trump tha se ky veprim nuk synonte t’i dërgonte ndonjë mesazh Kanadasë, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Otavës lidhur me tregtinë dhe tarifat.

“Asnjë mesazh”, tha Trump, kur u pyet se çfarë sinjali i dërgonte Kanadasë riemërtimi.

Trump e krahasoi riemërtimin e liqenit Ontario me vendimin e mëparshëm të administratës së tij për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës si Gjiri i Amerikës.

“Siç e dini, morëm diçka të quajtur Gjiri i Meksikës dhe ia ndryshuam emrin, ndërsa tani zakonisht quhet Gjiri i Amerikës”, tha ai.

“Gjithçka që na duhet është një oqean. Kështu që ndoshta do të duhet t’ia ndryshojmë emrin e Atlantikut ose Paqësorit. Ndoshta do t’ua ndryshojmë emrin të dyve”, tha Trump./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›